Ato janë të bukura, të suksesshme dhe të famshme. Pamja e tyre
përherë të befason. Të qenit në formë dhe sidomos lufta ndaj plakjes nuk
është aspak një fenomen shqiptar. Në botë thuajse të gjitha femrat e
njohura kanë bërë të paktën një rregullim në pamjen e tyre. Këtë proces e
kanë ndjekur edhe femrat e ekranit dhe artistet shqiptare. Megjithëse
mund të themi se jo përherë rezultati ka qenë ai që ndoshta ato
dëshironin. Disa prej tyre janë penduar, si p.sh. Dafina Zeqiri për
gjoksin, që prapë nuk i rri që nuk i rri bukur; apo buzët e Adelina
Ismajlit, që shumë prej fansave të saj u duken të ekzagjeruara.
Rozana Radi
Gjoksi i Rozana Radit u shumëkomentua, pasi foto topless të saj një
vit më parë përfunduan në faqet e para të gazetave. Këngëtarja Radi në
fakt nuk e ka mohuar asnjëherë zmadhimin e gjoksit, madje ajo deklaroi
publikisht se shuma që ka paguar për këtë operacion është rreth 3500
euro. Ajo që mund të themi është se Rozi ka ditur të bëjë ndërhyrjen e
duhur, pasi gjoksi i saj është pëlqyer thuajse nga të gjithë.
Adelina Ismajli
Për një fizik dhe portret sa më sensual, bisturisë i është nënshtruar
edhe këngëtarja tashmë e njohur në Ballkan dhe Europë, Adelina
Ismajli. Ajo ka fryrë dukshëm buzët, por edhe gjoksin, i cili tashmë
është më i bollshëm se disa vite më parë. Megjithatë, duket se buzët e
Adelinës kanë dalë disi nga moda. Fryrja e tepërt e tyre duket se nuk
po u pëlqen dhe aq adhuruesve të saj, edhe pse Adelina çdo vit e më
tepër shfaqet në një superformë.
Dafina Zeqiri
Të njëjtën ndërhyrje si Rozana Radi dhe shumë këngëtare të tjera ka
bërë edhe Dafina Zeqiri, por silikoni në gjoks nuk ka rezultuar me fat
për këngëtaren, e cila pas operacionit ka marrë mjaft kritika nga
mediat. Ndërsa ka deklaruar se operacionin e kishte bërë vetëm e vetëm
për t’u bërë qejfin fansave, këta të fundit janë shprehur të pakënaqur,
pasi forma e gjoksit të ri të Dafinës lë shumë për të dëshiruar, edhe
pse ajo ka bërë një ndërhyrje të dytë për të riparuar ndërhyrjen e pare,
e cila sërish ka rezultuar pa sukses.
Greta Koçi
Edhe Greta Koçi nuk i ka rezistuar dot trendy-t të botoxit, që kohët e
fundit është përhapur në masë mes personazheve publikë. Greta flitet
se ka bërë buzët dhe mollëzat e faqeve. Megjithatë, vetë ajo nuk e ka
pranuar një fakt të tillë. Për të parë këto ndërhyrje mjafton të
krahasosh imazhet e fotografive ndër vite, ndryshimet duken qartë.
Çiljeta Xhilaga
Çiljeta Xhilaga kohë më parë i është nënshtruar ndërhyrjes
kirurgjikale për të riparuar hundën. Ky operacion është i vetmi që ka
bërë këngëtarja. Ndërkohë ajo është folur për ndërhyrje për të zvogëluar
gjoksin apo për të zmadhuar vithet, po asnjë nga këta zëra nuk ka qenë
i saktë. Çiljeta vazhdon të ketë po të njëjtat forma.
Alberie Hadërgjonaj
Ajo duket si 25 vjeç edhe pse këtë datëlindje vetë Albërie
Hadërgjonaj “nuk e mban mend” kur e ka festuar. Këngëtarja nga Kosova
thuhet se ka bërë disa ndërhyrje me botox, duke filluar që nga buzët,
mollëzat, hunda etj. Edhe pse i ka mohuar, ndërhyrjet janë të dukshme.
Pavarësisht shmangies së rrudhave, sërish mund të themi se Albëries i
mungon natyraliteti i dikurshëm, të cilin as falë botoxit nuk e ka
rifituar.
Orinda Huta
Shumë pak është folur për hundën e re të këngëtares Orinda Huta, kjo
ndoshta sepse Orinda e ka bërë këtë ndërhyrje shumë kohë më parë,
menjëherë pasi kishte hyrë në botën e muzikës. Megjithatë, askush nuk
mund ta mohojë se portreti i përkryer i Orindës është falë syve të bukur
që ka dhe… falë operacionit në hundë.
Genta Ismajli
Hunda ka qenë një ndër problemet e këngëtares nga Kosova, Genta
Ismajli, e cila i është nënshtruar një ndërhyrjeje të tillë, duke e
zvogëluar. Megjithatë, mund të themi se ajo është më afër natyralitetit,
pasi zvogëlimi i hundës është e vetmja ndërhyrje që ajo ka bërë.
Urojmë që të jetë edhe e fundit!
Alketa Vejsiu
Thonë që i vështirë është vetëm fillimi dhe mesa duket i tillë ka
qenë edhe për Alketa Vejsiun. Nga bukuroshja 16-vjeçare e ekranit nuk
kujtojmë thuajse asgjë, pasi fytyra e Alketës ka ndryshuar totalisht.
Megjithatë, sytë e saj nuk e kanë humbur shkëlqimin. Moderatorja, tashmë
producente e spektaklit “X Factor”, ka zvogëluar hundën vite më parë
dhe për një kohë relativisht të shkurtër e ka mbajtur të fshehtë këtë
operacion. Pas bujës që bëri “hunda e re” e Alketës në prezantimin e
spektaklit “Gjeniu i Vogël”, prezantuesja nuk ngurroi të fliste për këtë
ndërhyrje. Pas saj, Alketa thuhet se i është nënshtruar edhe
ndërhyrjeve të tjera në buzë, mollëza etj.
Sonila Meço
Edhe Sonila Meço i është nënshtruar disa ndërhyrjeve në fytyrë, duke
nisur që nga hunda, për të vazhduar me buzët dhe mollëzat. Për këtë
fakt Sonila nuk ka preferuar asnjëherë të bëjë komente. Megjithatë,
duhet thënë se edhe pasi është bërë nënë, format e saj trupore janë
mjaft të mira. Ndonjëherë pak rregullim nuk bën dhe aq dëm.
Bleona Qereti
Mesa duket hunda është një ndër problemet kryesore të personazheve
publikë shqiptarë. Riparimit të saj nuk i ka shpëtuar as Bleona Qereti, e
cila vite më parë ka bërë këtë ndërhyrje. Ndryshe nga këngëtaret e
tjera që e kanë mohuar ndërhyrjen, Bleona nuk ka zgjedhur heshtjen. Edhe
pse është komentuar shumë për këtë operacion, këngëtarja shqiptare nuk
e ka mohuar asnjëherë këtë fakt.
Zajmina Vasjari
Një gjoks të ri dhe i përkryer, kjo ka qenë gjithçka ka dashur
Zajmina Vasjari para shumë vitesh. Këngëtarja shqiptare ka qenë ndër të
parat që, edhe pse në një moshë të re, ka zmadhuar përmasat e gjoksit
të saj, duke u bërë kështu një ndër femrat më të bukura të tregut
muzikor. Megjithatë, gjoksi i Zajminës ka qëlluar me një “defekt”, pasi
njëri duket më i madh se tjetri. E akuzuar shpesh edhe për operacione
të tjera, Zajmina ka pranuar se ka bërë ndërhyrje vetëm te gjoksi.